Në kuadër të zbatimit të projektit MEDILINK, të financuar nga Programi Interreg VI-A IPA CBC Greece–Albania 2021–2027, u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të Spitalit Universitar të Janinës dhe Spitalit Rajonal Gjirokastër.
Takimi u fokusua në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe në ecurinë e aktiviteteve të parashikuara në kuadër të projektit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet institucioneve shëndetësore të dy vendeve.
Nëpërmjet këtij projekti, Spitali Rajonal Gjirokastër do të përfitojë një pajisje moderne CT Scanner (skaner CT), e cila do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve diagnostikuese të spitalit dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar për pacientët.
Projekti MEDILINK synon të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar në fushën e shëndetësisë, duke promovuar shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e kapaciteteve dhe pajisjen e institucioneve shëndetësore me infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore.
Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe garantimit të një kujdesi më cilësor dhe më të aksesueshëm për komunitetin e zonës së Gjirokastrës.


